Me zgjedhjen e Xho Bajdenit për President të Shteteve të Bashkuara, politika e Shtëpisë së Bardhë për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës do të përcaktohet nga përafrimi i Amerikës dhe Evropës, u konstatua në debatin “Zgjedhjet Presidenciale në Amerikë: dy anët e së njëjtës medalje?”. Administrata e Bajdenit do të kthehej në politikën e udhëhequr nga Obama, kur ShBA-të u tërhoqën nga Evropa dhe ua lanë Evropianëve zgjidhjen e problemeve në kontinentin e tyre. Shtëpia e Bardhë, nga ana e saj, do të inkurajonte Beogradin dhe Prishtinën për të arritur një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve reciproke në kuadër të procesit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Debati “Zgjedhjet Presidenciale në Amerikë: dy anët e së njëjtës medalje?”. u mbajt më 5 nëntor në kuadër të projektit “Klubi Social i Mitrovicës” i cili zbatohet nga OJQ Aktiv me përkrahje nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Në këtë debat morën pjesë Ivan Vujaçiq, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Beogradit dhe ambasador i FR Jugosllavisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe Serbisë në ShBA në periudhën 2002-2009, Mark Baskin, profesor në Universitetin Amerikan në Kosovë dhe Kejlleb Vau, udhëheqës i departamentit të politikave publike të OJQ Aktiv. Debati u moderua nga Ognjen Gogiq, udhëheqës i zyrës së OJQ Aktiv në Prishtinë.

Gjatë debatit, Ivan Vujaçiq vlerësoi se serbët dhe shqiptarët gabojnë në pritjet e tyre për Bajdenin. Sipas tij, Bajdeni ishte tronditur shumë kur kishave iu vu flaka gjatë trazirave të marsit 2004. Sipas Vujaçiq, pala shqiptare nga ai nuk do të marrë “çek të bardhë” për të bërë atë që dëshiron, siç shpresojnë disa. Nga ana tjetër, ai beson se edhe ata serbë që mendojnë se po vjen dikush që do t’i bëjë presion përsëri sepse ato kohë kanë mbaruar, gjithashtu gabojnë. Në vend të kësaj, Bajden do të kërkojë të përmirësojë marrëdhëniet me Evropën, si një partner i natyrshëm i ShBA-ve, që do të përcaktoj raportin e tij me Kosovën. Për sa kohë që Amerika merret me çështje ndërkombëtare që janë më të rëndësishme për të, çështja e Kosovës do t’u lihet evropianëve, pasi ajo i përket hapësirës së tyre gjeopolitike.

Kejlleb Vau theksoi se gjatë kohës së Trampit, erdhi deri te një kthesë në politikën e jashtme amerikane. Trampi e trajtoi BE-në si një kundërshtar dhe u mor me Ballkanin vetëm për shkak të garës për ndikim në këtë zonë. Vau konstatoi se Trampi nuk di shumë për Ballkanin dhe as nuk është veçanërisht i interesuar për të. Marrëveshja e Uashingtonit që Beogradi dhe Prishtina nënshkruan në shtator nën kujdesin e Trampit ishte thjesht një shfaqje politike që u përdor për qëllime parazgjedhore.

Sipas Mark Baskin, Bajdeni do të përpiqet të krijojë lidhje më të mira dhe më konstruktive me BE-në. Ai beson se administrata e Bajdenit do të inkurajonte Prishtinën të arrijë një marrëveshje me Beogradin, por që nuk duhet të pritet ndërhyrje e madhe amerikane në atë proces. Ambasada Amerikane në Prishtinë nuk e ka rolin që kishte dhjetë vite më parë. Siç deklaroi ai, Ballkani nuk është aq i rëndësishëm për Amerikën, kështu që Bajdeni në vend të kësaj do të përpiqet të zgjidhë probleme shumë më të rëndësishme për Amerikën.

Ivan Vujaçiq vlerëson se Amerika mund të luajë një rol të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës për shkak të autoritetit që ka në Kosovë. Siç deklaroi ai, ndarja e shoqërisë shqiptare në Kosovë mund të jetë një faktor kufizues në arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa Amerika mund të bëjë presion ndaj palës shqiptare për të pranuar marrëveshjen.

Lidhur me pritjet që liderët në Beograd dhe Prishtinë kishin në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, Kejlleb Vau vlerësoi se fitorja e Trampit do t’i jepte Beogradit dhe Prishtinës një shkallë më të lartë fleksibiliteti për bisedimet mbi ndarjen e Kosovës. Siç vuri në dukje ai, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pa Trampin si dikë që nuk do të ndërhynte shumë në politikën e brendshme në Serbi, as në politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit. Nga ana tjetër, shoqëria shqiptare mendon se, ndryshe nga Trampi, Bajdeni do të ishte i parashikueshëm, si dhe se zgjedhja e tij do të çonte në kthimin e politikës që Amerika në vitet e mëparshme kishte ndjekur ndaj Kosovës.

Të gjithë pjesëmarrësit në debat vlerësuan se, ndryshe nga Tramp, Bajdeni ka një ide të qartë të asaj që po ndodh në Ballkan. Sidoqoftë, ata gjithashtu u pajtuan se kjo pjesë nuk është aq e rëndësishme sa që do të ishte në agjendën e Bajdenit nëse ai bëhet president i Amerikës, sepse ai do të ketë prioritete tjera.

Ivan Vujaçiq i karakterizoi veprimet e Presidentit Tramp në politikën e jashtme si çmontim të sistemit ndërkombëtar në krijimin e të cilit Amerika luajti një rol të madh dhe kjo e çoi atë në një situatë absurde për t’u bërë një faktor pasigurie për të gjithë botën. Sipas tij, Bajden do të përpiqet ta kthejë Amerikën në strukturat multilaterale, mirëpo ai do të trashëgojë probleme që nuk do të jetë në gjendje t’i zgjidhë aq lehtë. Mark Baskin vlerëson se zgjedhja e Bajdenit do të fuste parashikueshmërinë në politikën amerikane, gjë që nuk ishte rasti me Trampin. Sidoqoftë, ai gjithashtu beson se nuk do të jetë e lehtë për Bajdenin, veçanërisht në politikën e brendshme. Me konstatimin e tij, Trampin e kemi nënvlerësuar dhe pasojat e politikës së tij do të jenë të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.

VIDEO:

Pin It on Pinterest

Share This