Platforma për avokim Empirika, në dritën e incidenteve të fundit të cenimit të pronës private të qytetarëve serbë në tërë Kosovën, dëshiron të apelojë tek institucionet përkatëse që të ndërmarrin hapa të nevojshëm për të parandaluar dhe mbrojtur shkeljen e njërës nga të drejtat themelore të njeriut: të drejtën për paprekshmëri dhe të mbrojtjes së pronës private. Në një kohë kur pandemia COVID-19 po prek të gjithë qytetarët e Kosovës, individë të papërgjegjshëm dhe të paskrupullt pa u ndëshkuar po keqpërdorin masat e prezantuara për të luftuar këtë virus. Kufizimet e lirisë së lëvizjes dhe mungesa e masave parandaluese të sigurisë u dhanë të drejtën individëve që të shkelin ligjin dhe të cenojnë pronën private të qytetarëve të Kosovës.

Sidoqoftë, është e qartë se kjo është vetëm një vazhdim i sulmeve gjithnjë e më të shpeshta në pronë private të qytetarëve. Duke filluar nga fundi i nëntorit dhe gjatë gjithë dhjetorit të vitit 2019, në disa raste qytetarët e Komunës së Graçanicës ishin shënjestër e hajdutëve, të cilët për një periudhë të gjatë kohore kanë shkaktuar frikë dhe pasiguri te popullata lokale. Kjo vazhdoi me rrënimin e paligjshëm të pronave private në fshatin Cërnicë (komuna e Gjilanit) në mesin e muajit shkurt, dhe plaçkitjen e thyerjen e dhjetë shtëpive të personave të kthyer në fshatin Novak, si dhe vjedhjet në fshatrat Banjë (komuna e Skenderajt) dhe Osojan (komuna e Istogut) që ndodhën në një interval të shkurtër kohor (në fund të muajit mars). Së fundmi, rasti i pazgjidhur i një shtëpie të djegur në Ujin e Janjës (komuna e Obiliqit) në mes të muajit prill ishte një fillim i një serie të sulmeve të fundit mbi pronat private të qytetarëve serbë.

Në më pak se një javë, janë kryer grabitjet e pronave private të qytetarëve në fshatrat Novak (komuna e Prizrenit), Babimoc (komuna e Obiliqit), Cërkolez (komuna e Istogut) dhe në qytetin e Leposaviqit, u dogjën dy shtëpi në fshatrat Novak dhe Cërnicë, ndërsa në shënjestër të një grupi të vandalëve ishin shkolla dhe kisha në fshatin Gojbujë (komuna e Vushtrrisë). Duke pasur parasysh situatën aktuale dhe shqetësimet e popullatës, anëtarët e platformës për avokim Empirika kërkojnë nga autoritetet kompetente të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar raste të ngjashme cenimi dhe shkatërrimi të pronës private, pavarësisht nga përkatësia etnike e pronarëve të tyre.

Në rrethanat e jashtëzakonshme në të cilat aktualisht gjendet Kosova, nevojiten përpjekje shtesë dhe angazhim i konsiderueshëm i institucioneve me qëllim të mbrojtjes së popullsisë dhe pronës private:

  • Qeveria e Kosovës dhe qeveria lokale në territoret e të cilave janë regjistruar rastet e lartpërmendura duhet ta dënojnë qartë këtë akt dhe të kërkojnë nga organet kompetente, në radhë të parë nga policia dhe prokurorët, të kryejnë një hetim të plotë, të konstatojnë të gjitha faktet dhe të gjejnë autorët e këtyre krimeve;
  • Të caktohen takime të rregullta koordinuese të qeverisë lokale me popullatën, veçanërisht në enklavat dhe vendbanimet e personave të kthyer, me qëllim të ndërtimit të besimit të ndërsjellë përmes një procesi të dialogut të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm;
  • Policia e Kosovës, përmes degëve të saj rajonale, është e detyruar të përmirësojë praninë fizike të policisë në pjesë të ndjeshme të Kosovës, në enklava dhe në vendbanime të personave të kthyer, duke rritur kështu nivelin e sigurisë në komunitete lokale;
  • Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Zyrës për Çështje të Komuniteteve, të kryejë vlerësime të dëmeve dhe të alokojë fonde shtesë të cilat, pas një vlerësimi të dëmit të shkaktuar, do të fokusohen në riparimin e një dëmi të tillë;
  • Përveç që dënojmë publikisht këto akte kriminale, ne u bëjmë thirrje përfaqësuesve të trupit diplotmatik dhe organizatave ndërkombëtare që të inkurajojnë organet përkatëse të institucioneve vendore dhe qendrore të kryejnë hetime të hollësishme dhe të informojnë publikun e gjerë për rezultatet dhe të rekomandojnë adaptimin e një plan veprimi që do të lejojë që organet publike të reagojnë ndaj këtyre ose llojeve të tjera të ngjashme të incidenteve në kohën e duhur dhe në mënyrë adekuate.

Më 4 maj 2020

Anëtaret e Empirikës: Aktiv, Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike – ACDC, Qendra për të drejtat e komuniteteve jo shumicë – EMEG, Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik – FDMC, Gračanica Online, Qendra humane (Humani centar), Komunikimi për zhvillimin e shoqërisë – CSD, New Press, Radio Kontakt Plus, Rrjeti i Aktivizim Qytetar, RTV Kim, RTV Mir, Sinergija.

Pin It on Pinterest

Share This