U mundësua njohja e martesave serbe dhe regjistrimi i lindjeve dhe vdekjeve me certifikata serbe në sistemin e Kosovës

Në fillim të shtatorit të këtij viti, në komunat në veri, ndërsa më herët në mbarë Kosovën, ka filluar së zbatuari vendimi i MPB-së së Kosovës me të cilin, në bazë të certifikatave serbe nga librat amzë të lindjeve, vdekjeve dhe martesave të lëshuara deri më 14 shtator 2016, mundësohet regjistrimi i gjendjes civile, respektivisht verifikimi i martesës ose regjistrimi i lindjes ose vdekjes së anëtarëve të familjes në regjistrin qendror të qytetarëve të Kosovës, u tha dje në një konferencë të organizuar nga organizata joqeveritare LINK në QEQ.

Mosnjohja e martesave, por edhe regjistrimi i vdekjes së prindërve, respektivisht lindjes së fëmijës në sistemin e Kosovës, për një kohë të gjatë kanë qenë disa nga pengesat kryesore për të marrë letërnjoftimin e Kosovës.

Me vendimin e MPB-së së Kosovës nga korriku i këtij viti, kjo pengesë u hoq pjesërisht për të gjithë ata që u kurorëzuan në sistemin serb deri më 14 shtator 2016", tha Millica Andriq (Milica Andrić), autore e hulumtimit të paraqitur nga LINK.

E njëjta vlen edhe për të gjithë qytetarët që kanë pasur probleme me regjistrimin e vdekjes ose lindjes së anëtarëve të familjes. Nga fillimi i shtatorit është e mundur të bëhet përshkrimi i fakteve të gjendjes civile nga certifikatat e librave amzë të lëshuara nga institucionet e Serbisë në regjistrin e Kosovës, por vetëm nëse këto certifikata janë të lëshuara deri më 14 shtator 2016.

Milana Shqekiq (Miljana Šćekić), këshilltare ligjore në zyrën rajonale të Avokatit të Popullit në Mitrovicën e Veriut, e cila gjithashtu foli në konferencë, tha se megjithëse vendimi i ri nuk është gjithëpërfshirës pasi përjashton periudhën pas shtatorit 2016, megjithatë paraqet një hap pozitiv sepse para së gjithash do të mundësojë regjistrimin e fëmijëve që kanë lindur në KeM pas qershorit të vitit 1999, por edhe regjistrimin e vdekjes së prindërve, gjë që do të lehtësonte procedurat e trashëgimisë.

Nga Zyra e Avokatit të Popullit thonë se procedura e sapo krijuar për përshkrimin e fakteve të gjendjes civile nga certifikatat serbe në regjistrin e Kosovës është shumë e thjeshtë dhe se përveç certifikatës origjinale serbe (nga libri amzë i martesave, vdekjeve ose lindjeve, varësisht çfarë qytetarët dëshirojnë të regjistrojnë), nevojitet vetëm kopja e letërnjoftimit të Kosovës.

Kopja e letërnjoftimit të prindit është e domosdoshme gjatë regjistrimit të lindjes së fëmijës, por edhe me rastin e regjistrimit të martesës, ndërsa për regjistrimin e vdekjes së anëtarit të familjes nevojitet vetëm certifikata nga libri amzë i vdekjeve ose ndonjë dëshmi tjetër e vdekjes.

Edhe pse është miratuar në korrik të këtij viti, ky vendim i MPB-së së Kosovës në veri është zbatohet vetëm nga shtatori, ndërsa në konferencë u kritikuan institucionet, zyrtarët politikë dhe mediat për shkak të mungesës së informatës adekuate në publik për këtë ndryshim në regjistrimin civil në sistemin e Kosovës.

Ky vendim, si dhe procedurat për përshkrimin e fakteve të gjendjes civile, është afatizuar për një vit dhe do të jetë në fuqi deri më 5 korrik të vitit vijues.

Deri në miratimin e këtij vendimi, autoritetet e pushtetit në Prishtinë njihnin vetëm dokumentet e RFJ-së të lëshuara deri më 10 qershor 1999 ose deri në Marrëveshjen e Kumanovës.