Forumi Future: Perceptimet e ndërsjella të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë

Gati 80% e popullsisë serbe dhe shqiptare mund të pranojnë forma edhe më të afërta të bashkëpunimit me pjesëtarët e kombësive të tjera, tregon sondazhi i kryer nga OJQ "Aktiv" nga Mitrovica e Veriut për stereotipat ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Duke paraqitur rezultatet, menaxheri i projektit Millosh Timotijeviq (Miloš Timotijević) tha se sondazhi tregoi se pjesëtarët e komunitetit serb i konsiderojnë shqiptarët si persona dyfytyrësh, agresiv, dinak dhe nacionalistë, ndërsa shqiptarët i konsiderojnë serbët nacionalistë. 

“Në kontekst të gatishmërisë për pajtim, pjesëtarët e komunitetit shqiptar tregojnë një shkallë më të lartë tendence drejt pajtimit krahasuar me pjesëtarët e komunitetit serb. Shqiptarët shohin zgjidhjen e përafrimit midis serbëve dhe shqiptarëve me hyrje në BE, ndërsa serbët shohin përafrimin në bashkëpunimin ekonomik të popujve", - tha Timotijeviq. 

Sondazhi gjithashtu tregoi se një përqindje më e lartë e pjesëtarëve të komunitetit serb kishte mundësinë të punonte me pjesëtarët e bashkësisë shqiptare në çështje biznesi ose private. 

“Sa i përket situatës së pafavorshme socio-ekonomike, ekziston një pajtim i pjesshëm në faktorët e ndarë në të dy komunitetet. Pjesëtarët e komunitetit serb e shohin shkakun në konflikte etnike (32.6%), paaaftësinë e politikanëve (24.9%) dhe paaftësinë e shqiptarëve për të udhëhequr Kosovën (21.9%). Ndërsa anëtarët e komunitetit shqiptar e shohin shkakun në paaftësinë e politikanëve të cilësdo etni (32.7%) dhe paaftësisë së shqiptarëve për të udhëhequr Kosovën (27.9%)"- tha Timotijeviq. 

Sipas sondazhit, shkalla e identitetit të shfaqur kombëtar dhe fetar bashkë parashikojnë 6 për qind të variancës së gatishmërisë për pajtim (nga gjithsej 100%), me ç’rast rezultatet tregojnë se sa më pak të jetë religjioz personi dhe sa më pak të jetë i shfaqur identiteti kombëtar, aq më e madhe gatishmëria për pajtim te ai person. 

“Duhet theksuar se pjesëtarët e dy komuniteteve në masë të barabartë shfaqin shkallë të lartë të identitetit kombëtar dhe një shkallë të lartë të besimit, ndërsa pothuajse gjysma e komunitetit shqiptar (49.7%) dhe më shumë se gjysma e pjesëtarëve të komunitetit serb (69.5%) konsiderojnë se mos toleranca e pjesëtarëve të besimit tjetër pengon paqen në territorin në të cilin jetojnë", - tha Timotijeviq. 

Është e rëndësishme e dhëna që edhe për serbët (84.5%) edhe për shqiptarët (88.5%) është e rëndësishme të arrihet pajtimi mes serbëve dhe shqiptarëve për funksionimin normal të brezave të ardhshëm. 

Sondazhi, i paraqitur në konferencën “Forum Future” në kuadër të projektit të Qendrës së Energjisë Civile, i realizuar nga OJQ "Aktiv" me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), u krye në një mostër prej 527 të anketuarve. 

Duke folur në konferencë, Bekim Blakaj, drejtor i Qendrës për të Drejtën Humanitare, tha se distanca etnike midis shqiptarëve dhe serbëve po rritet me kalimin e kohës dhe se para pesë vjetësh ka pasur më pak stereotipa. 

Blakaj vlerësoi se mediat kanë luajtur një rol të keq në periudhën e pasluftës, sepse ato ishin të njëanshme dhe raportonin vetëm incidentet në të cilat viktimat ishin shqiptarët (mediat në gjuhën shqipe) dhe serbët (mediat në gjuhën serbe). 

Si shkak të dytë për ekzistencën e stereotipave Blakaj veçoi edukimin dhe vlerësoi si të pabesueshme që në tekstet historike të shqiptarëve janë vetëm dy faqe për luftën e viteve të nëntëdhjeta me "informacione shumë të njëanshme", ku, sipas tij, thuhet se forcat serbe kanë vrarë mbi 16,000 shqiptarë dhe se janë të zhdukur 3,000, pa asnjë fjalë për të zhdukurit dhe të vrarët nga komunitetet e tjera etnike. 

Çfarë do të jenë marrëdhëniet dhe nëse do të ketë më pak stereotipa ndaj njëri-tjetrit në të ardhmen është vështirë të thuhet, tha profesori në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Nebojsha Vlladisavleviq (Nebojša Vladisavljević). 

“Kjo varet veçanërisht nga veprimet e pushtetit në nivele të ndryshme dhe faktorët ndërkombëtarë. Natyra njerëzore është e tillë që ne të gjithë shpresojmë se do të bëhet më mirë, kjo në fund mund të vërehet edhe nga ky sondazh"- tha ai. 

Duke folur për sondazhin e realizuar nga “Aktiv”, Vlladisavleviq tha se tregon, kur bëhet fjalë për pajtimin, që rezultatet janë optimiste. 

“Ka stereotipa të rrënjosura, por në këtë moment nuk mund të shohim se në cilin drejtim po shkon kjo" - tha ai. 

Gazetari dhe shkrimtari Zhivojin Rakoçeviq (Živojin Rakočević) vlerësoi se nga zhvillimi i demokracisë do të varet sa "mure dhe stereotipa" do të jenë midis serbëve dhe shqiptarëve në të ardhmen. 

“Në kohën e konflikteve më të rënda, në vitet 1999, 2000 dhe 2004, dhe në kohën e izolimit më të keq hermetik të serbëve në KeM, shpresonim më shumë në demokraci se sa sot. Nga të gjitha anët, edhe në Prishtinë, kemi parë potencial më të madh demokratik se sot"- tha ai.

Rakoçeviq vlerësoi se ndodhi radikalizimi i skenës politike në të cilën personat me kapacitet demokratik humbën shumicën e ndikimit dhe pjesën më të madhe të rolit korrektues që të shpijnë shoqërinë drejt demokracisë. 

“Ky është thelbi i marrëdhënieve tona dhe shumë persona që kam respektuar janë zhdukur sepse kishin potencial demokratik dhe fati i tyre më i madh ishte se ata mund t'u thoshin fqinjëve të tyre, partisë ...:  “Eja, njeri ndrysho", e njëkohësisht kjo thirrje ishte thirrje e tyre për zhdukje", - konkludoi Rakoçeviq.